Info Panel

Rehovë 1990: Protestë në varrimin e dy të vrarëve në kufi, 14 të arrestuar

Njoftimi i Prokurorit të Përgjithshëm më 1 shtator 1990 për vrasjet ne kufi në Korcë dhe reagimin qytetar atje.

Më datë 23.8.1990 në fshatin Rehovë, të rrethit të Kolonjës, pesë persona, në përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin dhe duke kundërshtuar forcat e kufirit, të cilat për të parandaluar veprimet e kundërligjshme të tyre kanë vepruar në bazë të rregullave dhe megjithëse ata nuk u janë përgjigjur kërkesave të ligjshme, kanë përdorur armën, ku janë vrarë dy persona (Astrit Kërcelli dhe Petrit Hajdini nga qyteti i Korçës). Kufomat e këtyre personave u janë dorëzuar familjeve.

“Më dt. 24.8.1990, në orën 17:00, është organizuar varrimi i Astrit Kërcellit dhe ndërmarrja e shërbimeve komunale i ka vënë në dispozicion familjes, veç makinës së varrimit dhe një autobus. Në kundërshtim me rregullat e varrimit, një grup të rinjsh (mbi 300 veta, të dënuar e me personalitet të keq), arkivolin e kanë mbajtur me duar lart dhe para tyre kanë caktuar një person që mbante në dorë një dru në formë kryqi me emrin e viktimës. Këta, për të shkuar deri te varrezat, kanë ecur në këmbë nëpër rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit të Korçës, kanë ngritur dy gishtërinjtë lart, kanë përdorur në formë të zgjatur germën “Y” dhe kanë thirrur “Liri, Liri, Demokraci, Demokraci!”, thuhet ne njoftimin zyrtar te kohes….

Gjykata e rrethit të Korçës më datë 29.8.1990 pasi ka vendosur arrestimin e 14 personave dhe meqë kishte vështirësi gjykimi çështjen ia ka dërguar hetuesisë së rrethit për të vërtetuar organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë ngjarje. Pjesëmarrësit në këtë ngjarje do të përgjigjen penalisht në bazë të dekretit dt. 31.7.1990 “Për mbledhje, grumbullime dhe manifestimet në vendet publike” dhe dy prej tyre edhe për goditje të policëve. Hetimet vazhdojnë dhe prokuroria e rrethit po e ndjek në vazhdimësi çështjen me qëllim që hetimet të bëhen të plota…” – vijon njoftimi.

 

  2025  /  Publikime, Vrasjet në kufi  /  Last Updated Janar 8, 2025 by isp  /