Info Panel

Raporti, nëntor 1990: ushtarët nuk duan të shërbejnë në kufi

Në muajin nëntor të vitit 1990, sektori ushtarak njoftonte Byronë e Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë duke raportuar se ushtarët e kufirit ishin përfshirë në “tendenca pacifiste” dhe “mungesë të ndjesisë së alarmit”.

Përmes një shkrese prej 5 faqesh theksoheshin problemet, ku krahas atyre të rëndomta – ikje pa leje, fyerje, grindje apo mos respektim urdhrash – radhitej edhe i ashtuquajturi “keqkuptim” apo “keqinterpretim” që lidhej me ndryshimet e ligjeve, siç ishte ndryshimi i bërë për “kalimin e kufirit”. Në shkresë thuhet se sektori ushtarak kishte kryer “punë sqaruese”. Sigurisht, asnjë fjalë për vrasjet në kufi. Qoftë edhe me terminologjinë ushtarake, “asgjësim”. Kjo sepse për “sektorin ushtarak” qe bërë detyra dhe siç thoshte lirisht Alia në diskutimet me vartësit e tij “ushtari të vret”.

Interesante janë të dhënat ku prej forcave të kufirit, në ato 11 muaj të vitit 1990 – shkresa është raportuar më 5 nëntor – ishin “arratisur” 32 ushtarë, “kryesisht në Greqi” dhe që “80 për qind e tyre” e kishin kryer arratisjen pas “mësymjes” në ambasada në Tiranë. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve ishte kryer nga ushtarë, të cilët ishin në vitin e parë të shërbimit të tyre. Më tej sektori ushtarak tregon se në “mbi 170 raste” ushtarët largohen nga vija e parë e kufirit, për në thellësi, dhe ky veprim sipas analizës së kryer, bëhet për “rehati, për t’iu larguar postave të vështira”. Kjo lloj shmangieje mund të shpjegohet edhe me momentin tejet të rëndë që po shënohej në kufi. Vrasjet kishin trazuar jo pak qytetarët, të cilët po shfaqnin gjithmonë e më shumë urrejtjen e tyre ndaj sistemit.

Nga konteksti i raportimit kuptohet se ushtarakët kufitarë po vuanin opinionin e keq që ishte përhapur tashmë, kjo sidomos në Shkodër. Atje situata qe trazuar shumë sidomos pas rasteve tejet të rënda të vrasjeve të dy adoleshentëve Pëllumb Pëllumbi dhe Marjan Ndoja në mesin e muajit qershor. Nga shkresa kuptohet se tanimë ushtarët kufitarë përpiqeshin t’i shmangeshin mbajtjes së uniformës në jetën e përditshme, kjo si duket për të mos u ndeshur me reagimet e qytetarëve të acaruar.

Në shkresë, sektori ushtarak e shtjellon këtë sjellje thjesht si “mungesë dëshire”. “Ka kufitarë të cilët kanë një mungesë dëshire për t’u paraqitur si kufitarë në mjediset jashtë reparteve e postave të tyre. Bile kjo shkon deri aty sa disa prej tyre, kur ikin me leje ndërrojnë edhe këpucët, për të mos u dalluar se shërbejnë në kufi.” Krisja e marrëdhënies mes ushtarakëve dhe popullsisë në fshatrat pranë postave kufitare mund të kuptohet nga fakti se në këtë periudhë aktivitetet e përbashkëta që zhvilloheshin me banorët u pakësuan.

 

IDMC: Erblin Vukaj

  2025  /  Vrasjet në kufi  /  Last Updated Shkurt 12, 2025 by isp  /