Info Panel

Korrik 1990: Vrasja në ambasadën gjermane në Tiranë

17-vjeçari Altin Basha, i cili sapo kishte përfunduar vitin e dytë në Shkollën e Mesme Industriale në Tiranë, ishte viktima e vetme zyrtare e vrasjes nga policia më 2 korrik 1990. Ai u plagos me armë mbrëmjen e datës 2, ndërkohë që ndodhej në ambasadën gjermane dhe vdiq në spital nga plagët, më 4 korrik 1990. Ashtu siç pritej, media zyrtare nuk dha njoftim për vdekjen e tij dhe asnjë zyrtar nuk pranoi ndryshimin e deklaratave se më 2 korrik ka pasur të vrarë, ndonëse i riu Basha kishte ndërruar jetë. Në dokumentacion zyrtar mbiemri i tij është shënuar gjithnjë “Barka”, por sipas studiuesit Kastriot Dervishi, mbiemri i vërtetë është “Basha” e jo “Barka”.[1]

Lidhur me vrasjen e shtetasit shqiptar më 2 korrik në mjediset e ambasadës gjermane në Tiranë, kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, ka raportuar disa orë pas ngjarjes: “Nga hetimi dhe verifikimet në spitalin civil del se Altin Përparim Barka, 17 vjeç, banues në rajonin e Kombinatit të Tekstileve, është plagosur me armë zjarri në pjesën e barkut. Dy punonjës të ambasadës së RFGj pretendojnë se ai është plagosur nga një polic në territorin e ambasadës dhe se e kanë sjellë në spital për t’i dhënë ndihmën mjekësore, duke organizuar edhe ruajtjen e tij në pavijon. Ai është operuar dhe ndodhet në reanimacion. Ata e trajtojnë si emigrant politik dhe kërkojnë të mos takohet njeri më të”[2]. Dy ditë më vonë, Ministria e Jashtme iu referua deklaratës së Hetuesisë për të informuar institucionet më të rëndësishme të shtetit, se “organet kompetente shqiptare informojnë gjithashtu se në klinikën nr.2 të Tiranës ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë shtetasi shqiptar Altin Përparim Barka, i plagosur me zjarr nga pjesa e barkut, që ka qenë strehuar në ambasadën gjermane”[3]. Në këtë pjesë të tekstit, ministri Malile ka ndryshuar mbiemrin e personit nga “Barka” në “Basha”, si dhe fundin e fjalisë së fundit e ka rishkruar, duke hequr fjalën “i strehuar në ambasadën gjermane” dhe shtuar “i cili është çuar në spital nga punonjësit”.

Punonjësi i sigurisë në ambasadë, Lothar Parzeller, i ndodhur në ato çaste në ambasadë, e përshkruan kështu ngjarjen në dëshminë e tij. “Nuk arrinim të shihnim ata që qëlloheshin para se të hynin përmes së çarës në territorin që i përkiste ambasadës sonë. Më kujtohet një djalë i ri që, sapo kaloi të çarën, u rrëzua. Nuk merrte dot frymë dhe ishte zbardhur, bërë si meit në fytyrë. Ia hoqëm rrobat. Pamë se kishte dy vrima, një në anën e majtë të kraharorit, tjetrën në të djathtën. Vrima të vogla, pa gjak. Nga njëra, kur ai merrte frymë, dilte ajër. Bashkë me një polic të ambasadës e çuam në spital, në kirurgji. Mjekut i thamë që është nën kujdesin tonë. Ai e futi urgjentisht në sallë. Ne prisnim pas derës. Në një moment të caktuar në spital vijnë njerëzit e Sigurimit. Ishin civilë, një tip tjetër policësh nga ata që kisha parë deri atëherë në Tiranë, ishin trupmëdhenj, muskulozë, të shtinin frikën. Donin të hynin tek salla e operacionit dhe ta merrnin djalin. E vetmja armë që kishim ishte pasaporta diplomatike që e kishim marrë me vete. U thamë sigurimsave “ju nuk mund të hyni këtu”, duke ua tundur pasaportat tona në fytyrë. Ndenjëm pa lëvizur për 48 orë para sallës së reanimacioni, kishim uri, etje, por nuk lëvizëm. Pastaj erdhi një urdhër me radiomarrës që të ktheheshin në ambasadë. Sigurimi kishte bërë me dije se nuk do të merrej më parasysh pasaporta diplomatike dhe, nëse nuk largoheshim, do të shpalleshim “persona non grata”. U kthyem në ambasadë ku na prisnin të plagosur të tjerë. Më vonë, nga një doktor kubanez, që ndodhej në spital, morëm vesh që Sigurimi e kishte marrë nga reanimacioni dhe nxjerrë në pavijon. Më erdhi shumë keq, kur mora vesh që kishte vdekur”. [4]

Pala gjermane e përsëriti qëndrimin e vet në disa komunikime zyrtare më MPJ. Në notën e datës 3 korrik, ambasada informoi me hollësi për çastin kur “polici, i cili qëndronte anash duke qëlluar po anash, qëlloi kundër një shqiptari që ndodhej brenda oborrit të ambasadës”.[5] Pala gjermane u interesua vazhdimisht për shëndetin edhe fatin e të riut. Rasti u trajtua në nivele të larta dhe përbën një prej temave kryesore në mesazhin zyrtar që ministri i Jashtëm gjerman, Hans Dietrich Genscher, i drejtoi homologut shqiptar Malile, më 4 korrik. Sipas tekstit origjinal të letrës së Genscher-it, thuhej: “Në mbrëmjen e datës 2 korrik 1990, u plagos me rrezik për jetën për shkak të një të shtëne nga forcat e Sigurimit shqiptar në oborrin e ambasadës së RFGj një njeri që kërkonte strehim. Për shkak të rrezikut akut për jetën, i plagosuri u transportua në spitalin e Tiranës. Dy anëtarë të ambasadës, të cilët me pëlqimin e të interesuarit qëndronin në spital për ta shoqëruar të plagosurin, ishin detyruar me kërkesë të shefit të protokollit të largoheshin nga spitali me 3 korrik. Jam thellësisht i tronditur për plagosjen e këtij shtetasi shqiptar brenda oborrit të ambasadës sonë dhe për kërkesën që anëtarët e ambasadës të largohen nga spitali. Në interes të humanitetit dhe duke pasur parasysh zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve gjermano-shqiptare, ju bëj thirrje urgjente, që anëtarëve të ambasadës t’u jepet menjëherë mundësia për kontakte në çdo kohë me të plagosurin (vetëkuptohet brenda kufizimeve që dalin nga masat mjekësore)”.[6] Të nesërmen, në takimin zyrtar me drejtorin për Europën në MPJ, ambasadorit në detyrë Werner iu tha: “Gjendja e të plagosurit të operuar është e mirë dhe është jashtë rrezikut për jetën”.[7] Në fakt, i riu Basha kishte ndërruar jetë 24 orë më parë dhe autoritetet shqiptare, përfshirë MPJ, ishin në dijeni të këtij fakti. Ata bënë përpjekje maksimale që lajmi për vdekjen të mos bëhej publik, në mënyrë që të mos ishte subjekt i mediave ndërkombëtare. Me këtë arsye mund të shpjegohet edhe urdhri për të larguar stafin e ambasadës gjermane nga spitali.

Autoritetet policore të kohës, përfshirë ish ministrin Stefani dhe drejtorin e policisë, Bengasin, asnjëherë nuk e pranuan vrasjen nga policia të 17-vjeçarit. Ata nuk dhanë ndonjë variant alternativ, por e trajtuan vrasjen e tij si ngjarje të mistershme, duke aluduar për kalimin e përgjegjësisë te pala gjermane. Pyetja e Bengasit: “Nëse u plagos jashtë rrethimit të ambasadës aq rëndë sa përfundoi në vdekje, si mundi të shkonte deri në mjediset e brendshme të ambasadës?”[8], mori disa herë përgjigje nga pala gjermane, por edhe nga shqiptarë që ishin dëshmitarë të ngjarjes. Ish kreu i Hetuesisë, Lame, në kujtimet e tij shkruan se, i ndodhur edhe vetë në zonën e ambasadave mbrëmjen e 2 korrikut, takoi dy zyrtarët e lartë të policisë, Z. Ramizi dhe D. Bengasi, të cilët i konfirmuan atij se kanë qëlluar me armë. Kur ai i pyet nëse ka pasur viktima apo të plagosur, ata i përgjigjen se “nuk dimë gjë”[9], kurse dëshmia e Lames vijon: “Në qetësinë e frikshme dhe aq emocionuese të asaj nate, ndihej era e gazit të shkaktuar nga baruti i plumbave, që sapo ishin qëlluar nga armët e policëve”.

[1]. Kastriot Dervishi. 4.755 persona u larguan me ngjarjet e 2 korrikut 1990, Gazeta “55”, 4.7.2018.

[2]. Arkivi i MPB. Viti 1990, Raport i Hetuesisë së Përgjithshme, nr. 699, 3.7.1990, f. 1.

[3]. Arkivi i MPJ. Viti 1990, dosja 1349, kutia 49, f. 25.

[4]. Lothar Parzeller. Intervistë nga Ani Ruci. Deutsche Welle, 18 korrik 2015.

[5]. Arkivi i MPJ. Viti 1990, dosja 1339, kutia 49, f. 4.

[6]. Po aty, f. 10.

[7]. Arkivi i MPJ. Viti 1990, dosja 1349, kutia 49, f. 28.

[8]. Dilaver Bengasi. Enigmat e 2 korrikut ’90, Redona, Tiranë 2003, f. 73.

[9]. Qemal Lame. Vepër e cituar, f. 84.

 

Marre nga: Afrim Krasniqi “Kriza e Ambasadave: Shqipëria në vitin 1990”, Instituti i Historise, dhjetor 2021

  2025  /  Vrasjet në kufi  /  Last Updated Shkurt 12, 2025 by isp  /