Info Panel

Hetuesia: Vrasjet në kufi janë rritur në mënyrë të dukshme në vitin 1990

Rastet e kalimit të paligjshëm të kufirit po rriten si numër. Gjatë këtij viti, nga muaji janar deri më 19 qershor janë kapur në tentativë për të kaluar kufirin 108 persona dhe është evidencuar nga Hetuesia kalimi i paligjshëm i kufirit nga 46 persona të tjerë. Ndërsa, gjatë vitit 1989 kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 54 persona dhe u kapën në tentativë 70 persona të tjerë.

Në 16 raste, kur personat nuk kanë qëndruar nga thirrjet e njësive kufitare ndaj tyre është hapur zjarr. Për pasojë janë vrarë 16 persona. Këto kanë ndodhur në këto rrethe: 5 në Shkodër, 4 në Ersekë, 1 në Sarandë, 1 në Peshkopi, 4 në Korçë dhe 1 në Librazhd. Ka patur edhe disa plagosje.

Vrasjet në kufi janë rritur në mënyrë të dukshme në vitin 1990, që ka edhe intensifikim të kalimit të paligjshëm të kufirit. Në të kaluarën ka patur 3 vrasje. Për herë të parë ka patur një vrasje në vitin 1985 në Librazhd dhe dy vrasje të tjera në Shkodër në vitin 1989.

Personat që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme janë shtuar sidomos gjatë muajit maj 1990 pas ndryshimit të dispozitës së arratisjes në kalim të paligjshëm të kufirit. Pas kësaj periudhe kanë kaluar kufirin 40 persona, janë kapur 66 persona dhe janë vrarë 10 persona.

Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme

Qemal Lame

Tiranë më 20.06.1990

  2025  /  Publikime, Vrasjet në kufi  /  Last Updated Janar 8, 2025 by admin  /