Komunikata e MPB-së nr.136, datë 11.6.1990
Më datën 10.6.1990 u ndalua Irfan Sali Liçi, vjeç 27 banues në Orman Pojan të Korçës, kooperativist, për arsye se karakteristikat e tij të jashtme janë të njëshme me shkelësin e kufirit që u largua drejtim të paditur në përpjekje me njësitin kufitar të postës kufitare Shelegur. Në përpjekjen e orës 8.00, 10.6.1990, u vra për tentim të paligjshëm kufirit Fatmir Ismail Duro, banues në Orman – Pojan të Korçës.
* * *
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Hetuesia e Përgjithshme
Lënda: Për Fatmir Duron nga Korça u vra duke kaluar kufirin në mënyrë paligjshme
Ministrit të Punëve të Brendshme
Simon Stefani, Tiranë
Në datën 9.6.1990 në pikën kufitare Shelegur në Ersekë tentuan të kalojnë kufirin për në Greqi, Fatmir Smail Duro vjeç 25 dhe Irfan Sali Liçi vjeç 27 të dy banues në fshatin Orman të rrethit të Korçës. Hetuesia e rrethit filloi çështjen penale për kalim të paligjshëm të kufirit. Në datën 9.6.1990 rreth orës 24.00 Irfani në bashkëpunim me Fatmirin tentuan për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Të dy këta persona afërsi të kufirit në sektorin e postës kufitare të fshatit Shelegur u ndeshën me njësitin kufitar. Ju është bërë thirrje për t’u dorëzuar, por ata nuk kanë ndaluar. Njësiti i kufirit ka shtirë me armë duke vrarë Fatmir Duron. Kufoma e tij iu dërgua familjarëve. Irfani ka mundur të largohet përkohësisht, por u kap pas disa orësh dhe u arrestua. Më 17.6.1990 u dërgua në gjykatë.
Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme.