Së fundi, në një kohë që tendenca e arratisjes këto tre vitet e fundit është rritur rreth katër herë në Tiranë, puna jonë nuk ka qenë në atë shkallë që ta parandalojë atë, që të reflektojë si duhet detyrën e shtruar nga ju, shoku Ramiz, që kufirin ta ruajmë në thellësi. Megjithëse arratisjet në vitin 1987 u ulën rreth 50 për qind, në krahasim me vitin 1986, dhe u arrit të parandalohen dhe neutralizohen kjo veprimtari për 145 persona, fakti që u arratisën këta 10-të veta, shumica ose pothuajse të gjithë pa të dhëna, tregon që jemi ende larg detyrës që kërkon Partia. Kjo nuk na justifikon, përkundrazi evidenton faktin që lidhjet tona me masat dhe thithja e informacionit prej tyre nuk ka qenë në shkallën e duhur. Pas arratisjes së kësaj bande janë evidentuar shfaqje, fenomene e të dhëna të tilla, që po të diheshin e të vlerësoheshin nga ana jonë, mund të hidhnin dritë dhe të parandalonin këtë veprimtari armiqësore të Minella Andonit.
Raportim i Agron Tafa (AQSH. F.14APOU, V.1988, D.14. Procesverbal i mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të Partisë, 1.2.1988, f.26).