Ne, si Ministri e Punëve të Brendshme, udhëhiqemi vazhdimisht nga mendimi për t’i shpëtuar njerëzit, sigurisht kur këta nuk kanë bërë krime të rënda. Mbi 2 mijë vetë kemi këshilluar gjatë këtyre viteve për agjitacion e propagandë, të cilët dhe mund të dënoheshin, pra shumicën e kemi shpëtuar. Shumë kemi këshilluar edhe për tendencë arratisjeje. Por 10 për qind e tyre, megjithëse kanë qenë këshilluar, janë arratisur, pra na e kanë hedhur.
Në këtë kuadër, vepra e Minella Andonit është një tradhti. Ai ka qenë armik, por atë e ndihmuan dhe kushtet që i krijuam ne, nisur gjithnjë nga qëllimi i mirë për ta zgjidhur çështjen pa u ngutur. Ne gabuam dhe ai, si armik, diti të shfrytëzojë për realizimin e qëllimeve të tij armiqësore zemërgjerësinë e tempin e punës sonë. Për sa i përket përpunimit, me aq të dhëna që kishim në atë kohë, ne nuk e merrnim dot atë në përpunim dhe jo vetëm atë që ishte kuadër, po as njerëz të thjeshtë nuk i marrim dot në përpunim. Pse flet diçka një i arratisur, shkruan dikush një letër apo na vjen një informacion nga një bashkëpunëtor i rëndomtë, të merret personi në përpunim?! Pa e verifikuar çështjen me dy a tre bashkëpunëtorë, bile në shumicën e rasteve unë kam dhënë urdhër që të dhënat të verifikohen me mjete të tjera, ne nuk i marrim personat në përpunim.
Hekuran Isai: AQSH. F.14APOU, V.1988, D.14. Procesverbal i mbajtur në mbledhjen e Sekretariatit të KQ të Partisë, 1.2.1988, f.40.