Info Panel

21 prill 1990, vrasje në kufirin e sektorit Rrushkull në Shkodër

35 vjet më parë: më datën 21.4.1990 rreth orës 04.10 në sektorin e postës kufitare Rrushkull në Shkodër u qëlluan me armë zjarri në tentativë për t’u arratisur: Elez Halil Kraja vitlindja 1961, lindur dhe banues në Shkodër, punëtor në fabrikën vaj – pije Shkodër dhe Dhurata Hasan Sokoli, vitlindja 1966 lindur në Dragobi banuese në Shkodër, punëtore në fabrikën e lëkurë – këpucëve Shkodër.

Përpjekja e tyre ka dhënë sinjal në pengesën elektrosinjaluese. Posta e Rrushkullit u vu në alarm. U njoftuan njësitet e shërbimit të fshehtë. Ata ishin pikasur së largëmi ora 21.30, por ndjekja vijoi disa orë. Në orën fatale njësiti hapi zjarr drejt vendit ku ata ishin fshehur. Sipas hetimeve që u zhvilluan më vonë, komandanti i postës e kishte vrarë Elezin kur ishte vetëm 3-4 metra larg tij në përpjekje për të ikur. Me të dëgjuar krismat, Dhurata del nga vendi ku ishte fshehur, por vihet përpara breshërive masive të kufitarëve, të cilët e plagosin rëndë. Në atë gjendje e pyetën dhe pastaj e dërguan në spitalin e Shkodrës ku edhe ndërroi jetë. Të dy në trup kishin nga një plagë, Elezi në drejtimin nga poshtë-lart, ndërsa Dhurata në drejtim horizontal.

U krye një hetim, por “ekspertët” arritën në përfundimin se njësiti i shërbimit kishte zbatuar kërkesat sipas rregullores nr.01-40, date 13.10.1989 “Për shërbimin në njësitë piketë dhe anijet e postës kufitare”.

(Marrë nga shenimi ne FB i studiuesit Kastriot Dervishi, https://lnkd.in/dJNxtvpq)

  2025  /  Vrasjet në kufi  /  Last Updated Prill 21, 2025 by isp  /