Info Panel

QENDRESA ANTIKOMUNISTE

Shqipëria një rezistencë antikomuniste

Në mbarë Europën revolta e parë antikomuniste njihet ajo e vitit 1956 në Hungari e cila bëri jehonë në të gjithë kampin socialist. Por shumë studentë dhe qytetarë nuk janë ende të informuar me lëvizjet antikomuniste të zhvilluara në Shqipëri të cilat datojnë 10 vjet para protestës hungareze megjithse në përmasa jo aq të mëdha.

Qëndresa e Malësisë së Madhe

Qëndresa e armatosur e Kelmendit dhe Malësisë së Madhe ndryshe nga revoltat e tjera zgjati për  një kohë mjaft të gjatë për t`u shpërfillur. Prijësit e malësorëve ishin heronjtë Prenk Cali e Llesh Marashi, dy burra të vjetër patriotë që kanë luftuar kundër pushtimeve malazeze. Qëndresa në Malësinë e Madhe zgjati një muaj e gjysëm, prej 3 janarit 1945 dhe deri në 16 shkurt 1945, kur prijësi i kryengritjes, Preng Cali u rrethua dhe u kap me bashkëluftëtarët e vet të Kelmendit në shpellën e Vuklit. Luftime të përgjakshme u zhvilluan në betejën e Tamarës, janar 1945, në Brojë, Bajzë, Shkrel, Koplik e gjetkë.

Fundi logjik i rezistencës së Kryengritjes është rrethi vicioz ku u futën luftëtarët vendas: ata më në fund nuk u thyen ballëpërballë, por pas shpinë, pasi Armata e pushtetit komunist, në akord me qeverinë jugosllave shfrytëzoi terrenin malazez për të shtypur bashkëqytetarët e vet.

Kryengritja e Postribes

Më 9 shtator 1946 daton kryengritja e Postribës, e ideuar nga Jup Kazazi dhe me në krye prijësin Osman Haxhia. Ndryshe nga kryengritja e Kelmendit kjo ishte më strategjike dhe më vizionare sepse kishte premisat strategjike për t`u shtrirë si kryengritje e përgjithshme ngaVeriu në Jug dhe gjithnjë me shpresë në pritje të ndërhyrjes anglo-amerikane.Pra një kryengritje moderne e mirëstudiuar e cila do të sillte rrëzimin e diktaturës.

Kryengritësit sulmuan Shkodrën, për të liruar të burgosurit politikë, për të marrë armë në kazermat e ushtrisë dhe për të ngritur Shkodrën dhe krejt veriun e Shqipërisë në kryengritje të përgjithshme kundër regjimit komunist.

Edhe kjo revoltë u shtyp nga makina ushtarake dhe pasojat ishin të përgjakshme.Me qindra qytetarë të Shkodrës e të Postribës u pushkatuan pa gjyq, shtëpitë e tyre u dogjën, me mijëra të tjerë u mbyllën në 26 burgjet e Shkodrës (edhe kishat ishin kthyer ne burgje), çdo ditë zhvilloheshin dy-tri gjyqe ushtarake, çdo ditë internoheshin familjet e tyre në kampet e internimeve.

Rrebelimi i Zhapokikës

Rebelimi i Zhapokikës (Fshat në komunën Tërpan të Beratit) më 1948, megjithse duket më minor e më lokal, krahasuar me Kelmendin dhe Postribën, ka një rëndësi të madhe, sepse ka prodhuar po aq pasoja tragjike pas konfrontimit me armë me forcat e policisë së shtetit, me të vrarë e të pushkatuar, me gjyqe e të dënuar me vdekje.

Ky rebelim konsistonte në një çetë të organizuar kryengritësish me një strukturë të brëndshme organizmi, që synonte për t’u shtrirë e për t`u lidhur me pjesë të tjera të Jugut. Rebelimi i Zhapokikës është një tjetër dëshmi, se komunizmi është kundërshtuar me armë, jo vetëm në Veri, por edhe në Jug.

Me shtypjen e lëvizjes së Zhapokikës, u mbyll kapitulli i kryengritjeve me armë kundër pushtetit komunist në Shqipëri dhe nisi periudha e gjatë e nënshtrimit, persekutimit, varfërimit dhe izolimit të tejskajshëm të popullit e të vendit tone.

  2014  /  Uncategorized  /  Last Updated Nëntor 30, 2014 by admin  /