Blloku vs Shqiptarët
Shqipëria në komunizëm karakterizohet nga një kontrast i theksuar mes jetës së bllokut (zonë në qendër të Tiranës, e privilegjuar nga të tjerat, ku jetonte diktatori dhe njerëzit kryesorë të partisë komuniste) dhe jetës së qytetarëve shqiptarë të zhytur në mjerim.
Shqipëria renditej në 15 vendet më të varfra në botë sa i përket të ardhurave për frymë dhe kriza kulmoi në vitet 1982-1990 ku 300.000 familje konsumonin 0.5 kg mish në jave, 500.000 familje konsumonin 1 kg gjalpë në muaj dhe 600.000 familje gatuanin në banjë për shkak të mungesës së hapësirave për gatim.
Radha për ushqime dhe autorizimi!
Të gjithë ishin frekuentues të radhëve për ushqime, veshje e gjithçka tjetër. Për të blerë një televizor ose lavatriçe duhet të siguroje më parë një autorizim. Lodrat e fëmijëve ishin modeste dhe bliheshin vetëm për Vitin e Ri. Ishin kohët kur një sapun i ardhur nga jashtë shtetit konsiderohej një luks i pamatur, ndërsa bllokmenët ishin ata që jetonin të zhytur në luksin e vërtetë, që as e ëndërronte shqiptari i thjeshtë. Në komunizëm duhet të mbanin radhë për të blerë bukën. Në rast se nuk shkoje në kohë, mund të mbeteshe dhe pa bukë.
Veshjet dhe Moda !
Shqiptarët konsideroheshin si njerëzit me veshjet me të çuditshme në të gjithë bllokun komunist. Nëse në vendet e tjera, qoftë dhe në ato komuniste, ekzistonte veshja sipas modës, në vendin tonë përdoreshin veshje të veçanta dhe standarde, pavarësisht moshës, vendit dhe klasës shoqërore të cilës i përkiste individi. Pra Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë ku njerëzit visheshin të gjithë njësoj.
Deri në vitin 1984, mustaqet, syzet e diellit dhe çanta e vogël në sup ishin të ndaluara si “shfaqje të huaja”. Djemtë duhet të mbanin flokë shumë të shkurtër. Mjekra që të kujtonte më së shumti mullahët myslimanë, ishte e ndaluar. Vajzat e reja nuk duhet të binin në sy dhe bizhuteritë ishin të rralla. Fundi i vajzave duhet të mbulonte gjurin pa qenë shumë i gjatë ndërsa palltoja ishte shumë e shtrenjtë për kohën dhe blihej vetëm 1 ose 2 herë në jetë.
Ekonomia dhe prona private
Partia komuniste në pushtet e drejtonte ekonominë e vendit me anë të një serie planesh “Pesë Vjeçare”. Të gjitha mjetet e prodhimit kontrolloheshin nga shteti, bujqësia ishte kolektivizuar plotësisht dhe industria u bë pronë popullore dhe sipërmarrja private u ndalua rreptësisht.
Përvec kësaj, kushtetuta e Republikës Socialiste të Shqipërisë e ndalonte qeverinë te kerkonte ndihma nga jashtë, të pranonte borxhe apo të lejonte investime të huaja.
E vetmja pronë private në komunizëm ishte bicikleta ndërsa gjithçka tjetër i përkiste pushtetit popullor. Të vetmet automjete që qarkullonin në ato vite ishin ato publike, autobusët, urbanët, makinat e ndërmarrjeve. Transporti publik përballohej më së shumti nga trenat. Të gjithë udhëtonin me trena, të cilët ishin të tejmbushur nga udhëtarët. Makinat ishin shumë të rralla. Me shumë fat, një vajzë mund të hipte në autoveturë vetëm ditën e martesës.
Pronë private asokohe konsideroheshin dhe shpendët shtëpiakë. Në vitet 80-te u ndalua mbajtja e pulave, rosave e patave, por dhe gjelave të detit, që bliheshin vetëm një herë në vit, për festën e fundvitit. Në këtë mënyrë, pushteti popullor ua ndalonte shqiptarëve t’i shisnin vezët dhe pulat që shtoheshin. Këto masa rritën pakënaqësinë e njerëzve, duke pasur parasysh faktin se ekonomia po varfërohej gjithnjë e më tepër.
Blloku !?
Blloku asokohe ishte një mollë e ndaluar për shqiptarët. Atje nuk mund të hyje nëse nuk ishe banor. Atje banonin vetëm anëtarët e Byrosë Politike, të cilët konsideroheshin elita e vendit dhe siguria e tyre ishte shumë e rëndësishme për avenirin e kombit. Vila më e bukur në bllok ishte padyshim ajo e Enver Hoxhës.
Familja Hoxha jetonte në mes të luksit dhe jetës prej pasaniku. Përveç shërbëtorëve, rojeve që ruanin shtëpinë nën masa të rrepta sigurie, ata nuk i kursenin vetes as shtëpi pushimi në Vlorë, Pogradec apo Durrës. Në librat e kujtimeve që botonte diktatori hera-herës, shihnim me habi fotografitë e familjes Hoxha. Fotografitë pasqyronin një jetë krejt të ndryshme nga ajo e jona, me veshje të shtrenjta, xhinset aq shumë të ëndërruara nga shqiptarët apo lojëra të bukura.